57 vjet më parë Havai u bë SHBA. Si do të kishte qenë më vete?

23/08/2016 00:00

Në vitin 1959, një shumicë dërrmuese e banorëve të Havait votuan që të bëhen shteti i 50-të i Amerikës. Por si do të ishin sot, po të kishin qenë të pavarur?

Deri në vitin 1893, Havai ishte monarki e pavarur që bënte tregti kallami sheqeri e ananasi me  biznesmenë amerikanë. Këta biznesmenë e ndihmuan qeverinë amerikane të rrëzonte monarkinë vendase e të kontrollonte këtë pikë të rëndësishme strategjike. Amerikanët u ndaluan më pas vendasve përdorimin e gjuhës dhe të kulturës, veprim për të cilin kërkuan falje në vitin 1993.

Deri në vitin 1959 Havai kishte mbetur territor amerikan ku SHBA kishte ndikim të gjithanshëm. Më 21 Gusht të vitit 1959,  havajanët u bënë zyrtarisht shteti i 50-të i Amerikës, pasi shumica dërrmuese votoi në favor. Por si do të kishte qenë Havai sot, pa Amerikën? Këtë pyetje kanë ngritur edhe gazetarët e “Seeker”.

Për nga fuqia gjeo-ekonomike, Havai është shumë i vogël. Me një territor sa Shqipëria, 28 mijë km2, 40% të të cilit në ujë, ishulli ka vetëm 1.4 milionë banorë dhe bregun më të afërt e ka 3200 kilometra larg. Veç kësaj, izolimi gjeografik do t’ua vështirësonte konkurrencën tregtare, sado që klima favorizon rritjen e kafesë dhe të frutave ekzotike. Turizmi, në anën tjetër, siguron 21% të të ardhurave vjetore, për të cilën kanë marrë dhe infrastrukturë moderne, të cilën mund të mos e përballonin dot.

Por, jashtë turizmit, shumë biznesmenë të vegjël dhe individë vendas janë dëmtuar nga ligji i SHBA-ve, “Jones Act”, i cili detyron anijet e mallrave të përdorin për import-eksport jo më shumë se një port amerikan. Kjo bën që shumë anije ta anashkalojnë Havain duke shkaktuar çmim më të lartë të mallrave të importuar dhe të energjisë, ndërsa turizmi ka rritur dhe çmimin e banesave.

Prej kësaj, havajanët paguajnë më shumë taksa për të ardhura, aq sa renditen të dytët në Amerikë pas Kalifornisë. Ndërkohë që qytetet kanë parë zhvillim, popullsia indigjene është shumë e prekur nga varfëria dhe ka më shumë të pastrehë, sëmundje dhe kriminalitet. Ndërsa shumë të rinj njehsohen me modernen dhe bëjnë që kultura vendase të humbasë çdo ditë e më shumë.

Kjo ka bërë që një pjesë e vendasve, tashmë pakicë, të ruajnë përpjekjet për më shumë të drejta autonomie, ashtu si disa shtete të tjera në Amerikë. Por ka dhe nga ata që kërkojnë pavarësi të plotë e rikthim të vetëvendosjes. Lëvizjet për më shumë të drejta autonomie kanë pasur mbështetje edhe nga politikanë si Obama dhe Klinton.

FOTO GALERI
1/11
Liliuokalani Mbretëresha e fundit e Havait. Deri në vitin 1893, Havai ishte mbretëri e pavarur.

Top Channel