Gjeniu 11-vjeçar i kimisë organike

23/08/2016 00:00

Ke arritur të hysh në universitet, je në një kurs kimie organike, që përgjithësisht mendon se e kupton dhe ndjehesh i/e plotësuar me veten.

E gjitha kjo deri në momentin kur kthen kokën dhe në anën tënde sheh një djalë 11-vjeçar, i cili jo vetëm që po merr leksione të kimisë organike së bashku me ty; por në fund edhe të thotë që t’i shkruash në e-mail nëse ke problem në zgjidhjen e ndonjë ushtrimi.

Kështu mund të përshkruhet historia e 19-vjeçares Cigdem Kahyaogly. Ajo ndjek studimet në Universitetin e Toledos në Ohajo dhe rrëfeu në Twitter mikun e saj më të ri në klasë.

“Ky fëmijë është 11 vjeç dhe është në kursin tim universitar të kimisë organike. Na tha që nëse ngecim në ndonjë problem, t’i shkruajmë në e-mail. Ky fëmijë është një gjeni!”, shkruan 19-vjeçarja në Twitter-in e vet.

11-vjeçari e ka emrin Daniel dhe nuk është krejtësisht i panjohur në Shtetet e Bashkuara. Ai është personi më i vogël që ka fituar ndonjëherë një konkurs kombëtar amerikan për kiminë dhe këtë e ka bërë kur ishte 10-vjeç e konkursi pranonte konkurrentë nga 10 në 16 vjeç.

Gjenialiteti në këtë konkurs i siguroi 10 mijë dollarë dhe një vizitë e takim me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë.

FOTO GALERI
1/3
Daniel Liu ndjek leksione ne Universitetin e Ohajos...dhe eshte me i miri i klases

Top Channel