Në zbulim të “Syrit të Ciklopit”

23/08/2016 00:00

Shumë pranë Tiranës, vetëm 4 kilometra nga fshati Kërrabë, fshihet një bukuri e virgjër natyrore, që kohët e fundit po josh vizitorët si një destinacion njëditor turizmi.

Për të mbërritur tek ajo që banorët e zonës e quajnë “Syri i Ciklopit” të duhet të kalosh nëpër një shteg të ngushtë, në një vend të pashkelur për rreth 1 orë, ndërsa pamja që shfaqet menjëherë është mahnitëse.

“Është një formë shumë e mirë turizmi që të mundëson ‘hiking’, por edhe plazhin, një formë shumë e mirë për të zëvendësuar pishinat me mjedisin natyror”, shprehet Neritan Ibi, guidë e specializuar “My Albania”.

Sipas legjendës, Ciklopi në dyluftim me bishën ra nga humnera dhe humbi syrin dhe zemrën e tij, duke krijuar dy basene me ujë të ftohtë të cilët të ftojnë të kridhesh në thellësinë deri në 5 metra.

Rruga deri tek zemra e ciklopit kërkon një vullnet eksploruesish, që kryesisht janë vendas, pasi terreni në këtë zonë bëhet gjithnjë e më i vështirë.

“Çdokush që gëzon shëndet të plotë mund të bëhet pjesë e këtij udhëtimi. Më shumë janë turistët vendas ata që e pëlqejnë këtë destinacion. Guidat e licensuara shoqërojnë të gjithë turistët për çdo rast të papritur”.

Një degë e lumit Erzen, që rrjedh në formën e një katarakti të vogël, bashkë me formacionet e shumta të shkëmbinjve, krijon këtë peizazh përrallor si një ftesë për relaks në çdo stinë.

Top Channel