Shehu: Rama nis shëtitoren 1 milion euro në prag të zgjedhjeve për të mashtruar dhe vjedhur dibranët

23/08/2016 00:00

Kandidati për kryebashkiak te Dibrës, Sherefedin Shehu ka vijuar takimet derë me derë ne fshatrat e Dibrës. Shehu u takua me banorë të fshatrave Pekë dhe Pjeqë. Sherefedin Shehu theksoi se Rama nuk mund ta ketë kurrë Dibrën pasi në qeverisjen e tij nuk u bë asnjë investim dhe taksat e dibranëve shkuan për zyra luksi e mirëqenie të qeveritarëve në Tiranë.

“Ndërkohë që Dibra është braktisur prej tre vitesh nga qeveria në prag të zgjedhjeve, Rama u kujtua për asfaltimin e rrugës kryesore në Peshkopi. Ky investim prej mijëra eurosh nuk është gjë tjeter veçse një përpjekje e dëshpëruar e Ramës për t’u hedhur hi syve dibranëve që për premtimet e pambajtura dhe mënyrë për të mbushur xhepat e pushtetarëve”, theksoi kandidati Shehu.
 
“Kur i erdhi dita që të ballafaqohet me qytetarët, u kujtua për shëtitore. E bënë për të mashtruar, e bënë për të vjedhur. Me paratë që bëhet shëtitorja e qytetit të Peshkopisë do të bëheshin 40 rrugë fshatrash. Natyrisht që ne e dimë se qyteti ka nevojë, por më parë ai ka nevojë të pastrohet ashtu siç është”, tha ai.
 
Shehu theksoi se Edi Rama erdhi në pushtet me filozofinë e zgjidhjes së halleve, por i ka shtuar barrën e tyre shqiptarëve. Në takime banorët i shprehën shqetësimin e tyre kandidatit Shehu për mungesën e vendeve të punës, pamundësinë për të paguar energjinë dhe shërbimet publike, shtyrjen e afateve në dhënien e ndihmës ekonomike.
 
Fermerët theksuan se nuk kanë marrë asnjë subvecion në këto vite dhe se investimet për bujqësinë mungojnë tërësisht. 

Top Channel