Mblidhet komisioni i reformës. Ligji i “Vetting”-ut, diskutohen 47 amendamente të opozitës

23/08/2016 00:00

Prej orës 10:00 ka nisur në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi për të diskutuar draftin final të ligjit të “Vetting”-ut, i cili pritet të kalojë në votim në një seancë të jashtëzakonshme, për të cilën do të vendoset sot pasdite në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që është parashikuar të mbahet në orën 18:00.

Mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura, por mësohet se Partia Demokratike ka paraqitur 47 amendamente për 25 nenet e para të draftit, por duke u kujdesur të theksojë se ky nuk është një drafti i ri, por vetëm reflektime mbi draftin final të hartuar nga EURALIUS. Në fakt, misioni EURALIUS punoi për draftin final pas verëjtjeve që bëri PD-ja, e cila ka paraqitur të tjera amendamente tashmë që drafti final po diskutohet në komision.

Amendamentet e opozitës janë kryesisht saktësime termash dhe shprehesh juridike që përcaktojnë vepra penale apo përkufizojnë vlerësim rreth personit dhe pasurisë së tij.

Mbledhja është ende duke vazhduar dhe pritet që deri në orën 18:00 të ketë përfunduar, pasi në këtë orë është parashikuar edhe mbledhja e Konferencës së Kryetarëve e cila do të diskutojë edhe për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të votuar pikërisht ligjin e “vetting”-ut, ligjin e parë dhe më të rëndësishëm të paketës së reformës në drejtësi.

Kujtojmë se ishin ndërkombëtarët ata që kërkuan me forcë që ligji i “vetting”-ut të miratohej sa më parë duke mos pranuar mbylljen e verës pa votimin e tij.

Top Channel