Nigeri, ushtria vret kreun e Boko Haram

23/08/2016 00:00

Ushtria nigeriane lajmëroi në “Twitter” se lideri i organizatës terroriste Boko Haram, Abubakar Shekau, u plagos e më pas ndërroi jetë si pasojë e një sulmi ajror që i kushtoi jetën edhe shumë komandantëve të tjerë të këtij grupi.

Lajmi publikohet edhe nga mediat lokale që thonë se Shekau u vra, por veç lajmërimit të ushtrisë, askush nuk mund ta verifikojë atë në mënyrë të pavarur.

Vdekja e Shekaut bëhet e ditur një ditë pasi aviacioni ushtarak nigerian tha se vrau rreth 300 anëtarë të Boko Haram në një seri sulmesh ajrore në provincën e Borneos, fortesë e këtij grupi terrorist.

Edhe më parë janë publikuar lajme për vdekjen e Shekuat, por më vonë janë përgënjeshtruar si të pavërteta.

Në shtator 2014, burime zyrtare thanë se Shekau u vra gjatë luftimeve të ashpra, por ai vetë e hodhi poshtë këtë lajm duke u shfaqur në një video. Megjithatë, këtë herë, ushtria nigerian ngul këmbë se është e sigurt për vdekjen e tij.

Dalja e fundit publike e Abubakar Shekaut u bë më 4 gusht, kur ai konfirmoi se ishte ende kreu i Boko Haram dhe jo personi i emëruar në këtë post nga Shteti Islamik Abu Musas al-barnaui. Sipas ekspertëve, ky mesazh tregonte se Boko Haram po shkëpuste lidhje me  Shtetin Islamik.

Top Channel