Sarkozy kërkon rikthimin

22/08/2016 00:00

Nicolas Sarkozy ka deklaruar se do të kërkojë mbështetjen e partisë së tij për të kandiduar si president ne zgjedhjet vitin e ardhshëm.

Politikani i krahut të djathtë, i cili në Francë njihet me nofkën “hiper presidenti” lidhur me mandatin e tij nga viti 2007 deri ne vitin 2012, i zbuloi ambiciet për të qenë edhe njëherë në krye të pallatit të Elizes, dhe për t’u “hakmarrë” ndaj Francois Hollande për humbjen e katër viteve më parë.

Emri i Sarkozy ka qarkulluar gjerësisht në media ditët e fundit, për qëndrimin e tij të ashpër ndaj mënyrës sesi Franca po lufton radikalizmin islamik dhe duke thënë se vendi po humb përditë identitetin kombëtar.

Beteja më e rëndësishme për Francën, tha Sarkozi, ështe të mbrojmë vlerat tona pa u ndikuar nga pjesa tjetër e botës.

Në platformën e tij të re, ai është edhe më i ashpër sesa në vitin 2012. Sarkozy kërkon ndalimin e veshjes myslimane nga universitetet dhe ndërmarrjet publike, apo limiton të drejtat e nënshtetësisë franceze për fëmijët e lindur nga prindër me kombësi të huaj.

Megjithatë, Sarkozy mbetet sfidant dhe jo favorit  në garën kryesore të partisë së djathtë. Lider në sondazhe dhe aktualisht politikani i preferuar i Francës është Alain Juppe, kryebashkiaku i Bordo dhe ish-kryeministër, i cili ka shërbyer si ministër i Jashtëm, gjate mandatit te Sarkozy.

Top Channel