Lojërat e karnavaleve, e fitoi Brazili të artën në Rio!

22/08/2016 00:00

Të cilësuara si Lojërat e Karnavaleve me plot tifozë të lumtur, ato çfarë pamë në Rio de Zhaneiro këtë muaj ishin sekuencat e një prej olimpiadave më të vështira në histori. Polemika para nisjes së eventit si dhe shumë probleme të tjera mes të cilave grabitje me armë, sulme ndaj autobusit të medias, mijëra vende bosh në stadiume dhe pishina të mistershme që ndryshonin ngjyrë.

Shumëkush pyet nëse Brazili e ka fituar medaljen e artë të organizimit sidomos pas mbylljes elektrizuese të Olimpiadës në Rio, por ajo çfarë ndodhi nga 5 deri në 21 gusht, ndoshta do më tepër kohë të analizohet. Në garat zyrtare, Majkëll Felps, Usain Bolt apo Sajmon Bajls i elektrizuan Lojërat e para në Amerikën e jugut me rezultatet e tyre me paraqitje impresionuese, por jashtë impianteve nuk ishte gjithçka në rrugën e duhur.

Xhon Kouts i tha rrjetit BBS se Olimpiada e Rios ishte më e vështira në histori pasi në shumë disiplina kishte më shumë ndenjëse bosh sesa tifozë, edhe pse organizatorët trumbetonin jo pa  krenari, se ishin shitur84% e biletave. Në krahasim me Londrën ku në javën e parë kishte gjithashtu vende bosh, Rio asnjëherë nuk aplikoi një plan B dhe ky ishte problem.

Virusi “Zika” ishte gjithashtu një prej shqetësimeve, por në fund rezultoi se doli më pak i rrezikshëm sesa të tjerë si krimi i rrugës apo ndotja e ujërave.

“Një trashëgimi fantastike”, e cilësoi zëdhënës i Olimpiadës, Mark Adams, aktivitetin e kësaj vere, por taksapaguesit brazilianë nuk janë shumë dakord me këtë. Lojërat në vendin e sambës kushtuan 4.6 miliardë Dollarë, 50% më shumë sesa ishin planifikuar.

Eksperienca në Rio de Zhaneiro i hap rrugën Tiokios në 2020, por jo vetëm. Me gjasë në Komitetin olimpik do të lobojnë për zgjidhje më të sigurta në Azi dhe Europë, sesa një bast si Amerika e jugut që IOC ende nuk di nëse e fitoi me ceremoninë e mbylljes në Brazil.

Top Channel