Policia vazhdon panairin, Çipa: Akuzat e opozitës? Qytetarët e shohin vetë

22/08/2016 00:00

Prej ditës së dielë Panairi i Policisë nga qyteti i Vlorës është zhvendosur në Himarë për të përfunduar turin ditën e mërkurë në Sarandë.

Zv.ministri i Brendshëm, Stefan Çipa ka shfrytëzuar këtë rast për t’ju përgjigjur akuzave të opozitës për përfshirje të policisë në kultivimin e drogës.

“Për akuzat e disa krerëve të PD, por edhe të opozitës është më mirë që të flasin qytetarët. Rezultatet e punës së policisë këtë vitet e fundit flasin vetë në të gjitha, si në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, në shërbim të komunitetit, në shërbim të turizmit. Numri i madh i personave që vizitojnë zonat tona turistike vitet e fundit, një element bazë është edhe siguria”, u shpreh zv.ministri Stefan Çipa.

Ndërkohë kreu i policisë Haki Çako premtoi se Panairi i Policisë do të shtrihet në të gjithë qytetet turistike të vëndit.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për shumë shqiptarë që pjesnë më të madhe të vitit e kalojnë jashtë Shqipërisë, gjejnë mundësitë që të shohin njerëzit e tyre, por edhe të shohin dhe prekin sigurinë që ofron Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Panairi i Policisë, ashtu si gjatë prezantimit në Tiranë 2 muaj më parë ka tërhequr interesin e qytetarëve që po kalojnë pushimet në bregdetin e jugut.

Top Channel