Kaçe zgjidh ngërçin, rinovon me PAOK, huazohet tek Plzen

22/08/2016 00:00

Ergys Kaçe ka zgjidhur ngërçin me skuadrën e PAOK-ut. Mesfushori i Kombëtares shqiptare do të vazhdojë të jetë në pronësi të skuadrës greke, por këtë sezon nuk do të veshë fanelën e kësaj skuadre.

Sipas mediave greke, përfaqësuesit e lojtarit dhe drejtuesit e PAOK gjetën akordin e përbashkët, ndërsa firmosja e kontratës cilësohet thuajse e përfunduar, pavarësisht se duhen saktësuar disa detaje si  afati i rinovimit për dy ose tre vjet dhe kushtet ekonomike të marrëveshjes së re.

Këto detaje duket se nuk janë pengesë për asnjërën prej palëve, pasi vetëm kështu Kaçe do të siguronte më pas huazimin tek Viktoria Plzen në Çeki.  Udhëtimi drejt Republikës Çeke për t’u prezantuar me skuadrën e re do të realizohet menjëherë pas finalizimit të kontratës në Selanik.

Largimi i mesfushorit kuqezi është nëj fakt i kryer edhe sepse prej ngërçit që lidhej me kontratën, stafi teknik me në krye trajnerin Vladimir Iviç e ka lënë futbollistin jashtë projektit të ekipit për sezonin e ri.

Me PAOK-un që ka zbritur në fushë prej fundit të korrikut për ndeshjet kualifikuese të Champions League ndaj Ajax, apo për sfidën në fazën play off të Europa League kundër Dinamos së Tbilisit, në asnjë rast Kaçe nuk ishte i grumbulluar në skuadër.

Rinovimi i kontratës dhe huazimi te Viktoria Plzen janë zgjidhja ideale e pranuar edhe nga futbollisti, që do të largohet për një sezon nga PAOK-u për t’u përqendruar vetëm te futbolli, ndërsa me çekët ka të garantuar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Viktoria Plzen u mposht në ndeshjen e parë play-off të Champions nga Lodogorets, por edhe në rast disfate ata do të luajnë në grupet e Europa League.

Top Channel