Operacioni i rrallë, i nxirren 40 thika nga stomaku

22/08/2016 00:00

Mjekët në Indi i nxorën nga stomaku 40 thika një personi që prej dy muajsh kishte nisur të praktikonte këtë hobi të çuditshëm.

Mjeku Jatinder Malhotra që kreu operacionit tha se ishte frikësuar nga ajo që pa, ndërsa shtoi se pacienti i kishte shpjeguar se kishte pasur një nevojë të madhe për të konsumuar metal, prandaj gëlltiti thikat.

Malhotra tregoi se ekipit të kirurgëve i ishin dashur dy ditë për të planifikuar ndërhyrjen e rrallë kirurgjikale. Për mediat, ai tregoi thikat që ishin nxjerrë nga barku i pacientit 42-vjeçar.

Bëhej fjalë për dhjetëra thika të vogla që njihen si biçakë. Disa prej tyre ishin të palosura, disa të hapura dhe të tjera kishin nisur të ndryshkeshin.

Mjekët në qytetin Amritsar, ku u zhvillua operacioni, thanë se paciente është plotësisht jashtë rrezikut për jetën, por ende nuk është nxjerrë nga spitali pasi do t’i bëhet një vlerësim psikologjik.

Pas gjestit të tij, nuk është e zorshme të mendosh për shqetësime psikologjike që mund ta kenë shtyrë të gëlltisë thika. Gjithsesi, mjekët thanë se e kishin këshilluar se nëse në të ardhmen do të kishte sërish nevojë të ngjashme për metal, mund të provonte të hante spinaq.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel