Serbia lavdëron UNMIK-un për zbatimin e Rezolutës 1244 në Kosovë

22/08/2016 00:00

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka pritur sot përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, njëherësh sheh i UNMIK-ut, Zahir Taninin në prag të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të KB, në të cilën do të shqyrtohet raporti tremujor i punës së këtij misioni në Kosovë.

Sipas komunikatës, në këtë takim u theksua bashkëpunimi i mirë midis Serbisë dhe këtij misioni, transmeton Koha.net.

Bëhet e ditur se u paraqitën vlerësime mbi situatën aktuale në Kosovë, veprimin e UNMIK-ut, pastaj mbi angazhimin e këtij misioni në fushat me rëndësi për mbetjen, jetën normale e të dinjitetshme të serbëve dhe të pjesëtarëve të komuniteteve të tjera joshqiptare, theksohet në komunikatë.

Posaçërisht u theksua rëndësia e Misionit për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit si dhe angazhimi i UNMIK-ut për të gjitha çështjet me rëndësi për zbatimin me konsekuencë të Rezolutës së KS të KB 1244, theksohet në komunikatën për medie të kësaj ministrie.

U theksua edhe rëndësia e pranisë së pazvogëluar të UNMIK-ut, duke u nisur nga besimi që ka popullata serbe dhe joshqiptare në punën e misionit, shkruan komunikata.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit në të cilën do të shqyrtohet raporti mbi punën e UNMIK-ut do të mbahet të enjten, më 25 gusht.

Top Channel