Shehu: Ne do t’i kthejmë dinjitetin Dibrës

22/08/2016 00:00

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar në Bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu zhvilloi një bashkëbisedim me banorët në Kastriotit dhe në Brest të Sipërm. Ai u njoh me shqetësimet e banorëve për infrastrukturën, punësimin dhe taksat.

“Dibra dhe dibranët, të mençur e punëtorë, nuk kanë nevojë për lëmoshë, por për dorën e shtetit, të cilën Rama ja ka refuzuar me përçmim këto tri vite, sepse ka rritur çmimin e energjisë”, tha në fjalën e rastit, Sherefedin Shehu.

“Kjo qeverisje e keqe e ka çuar vendin në një moment shumë të vështirë. Këtu tek ne sidomos në Dibër, e sidomos tek rinia, ka humbur shpresa. Ne duhet të rikthejmë shpresën. Ju jeni punëtorë, njerëz që nuk prisni qeverinë që t’ju japë lëmoshën, por keni nevojë për mbështetje dhe kjo mbështetje juve ju ka munguar. Përveç kësaj mbështetje që duhej t’jua jepte qeveria, ajo jua ka shtuar barrën. Këtu tek ju, si në të gjithë Shqipërinë, sidomos në zonat e varfëra, pritet ndihma ekonomike, për të shkuar që të paguash faturën e rritur të energjisë elektrike”, u shpreh ai.

“Prioritet i Bashkisë do të jenë akset rrugore që lidhin fshatrat me qendrën e njësisë, dyfishimi i subvecioneve në bujqësi e blegtori, vënien në punë të magazinave të grumbullimit të prodhimeve,  kanalet e vaditjes etj”, theksoi Shehu.

Ai premtoi financim të projekteve edhe përmes institucioneve ndërkombëtare të Bashkimit Europian dhe Bankën Botërore.

“Fati e ka dashur që të përgatis buxhetin e të gjithë shtetit, ndaj është e lehtë për mua të përgatis buxhetin e një bashkie, që do të thotë, që ato dy lekë që do të kemi, duke më pasur mua si kryetar Bashkie do të dimë t’i përdorim më mirë.  Unë do të filloj me projektet e vogla, do të filloj në Dovolan, aty nuk është as 1 km rruga për ta dërguar asfaltin në fshat. Do të vij këtu tek ju dhe ju jap fjalën se, sot një vit, asfalti do të jetë këtu në qendër, në Brest të Sipërm”, tha Shehu.

Top Channel