Ethet zgjedhore në Francë, ish-ministri i Ekonomisë kundër Hollande

22/08/2016 00:00

Lidershipi i Francois Hollande përfaqëson vite të humbura për Francën, thotë njeriu që shpreson t’ia marrë presidentit jopopullor socialist çelësat e Elizesë majin e 2017-s.

Ish-ministri i Ekonomisë Arnaud Montebourg njoftoi kandidaturën e tij në prsidencialet e vitit që vjen dhe me komentet e bëra u kthye në pretendentin më të fundit që sfidon linjën qeveritare pro-biznesit.

Montebourg nuk sqaroi nëse do t’i hyjë betejës së paraprakeve të së majtës për caktimin e një kandidati, por do të garojë si i pavarur. I dëbuar nga ekzekutivi dy vjet më parë për shkak të kritikave që nuk ngurronte t’i hidhte ndaj shefit të Elizesë, ish-ministri tani po zbret në fushën e luftës zgjedhore.

“Normalisht nuk duhet të jem këtu duke propozuar një alternativë, sepse këtë premtuam përpara katër vjetësh. Por tani kemi mbetur me ndjesinë se këto vite ishin kohë e humbur. Ashtu si shumica e popullit francez, edhe unë e kam të pamundur të mbështes presidentin aktual dhe po shpall kandidaturën time për president”, tha ai në një takim me simpatizantë.

Duke e nxitur Hollande të mos kandidojë përsëri, Montebourg u shpreh se platforma e tij përfshin hapa për fundin e masave të rrepta anti-krizë dhe shtim të shpeznimeve, përmbysjen e rritjes së taksave përgjatë 5 viteve të fundit, luftë kundër globalizimit dhe ristrukturim të BE-së, të cilën e sheh praktikisht si “një kompani të dështuar”.

Hollande, niveli i simpatisë për të cilin është më i ulëti nga të gjithë presidentët francezë të ditëve tona, e ka bërë të qartë se vetëm në fund të vitit do të njoftojë pjesëmarrjen ose jo në garën për presidencën franceze, ndërsa sondazhet e opinionit tregojnë se pavarësisht të gjithave, ai sërish mund t’i fitojë zgjedhjet paraprake.

Top Channel