Kundërshtimi ndaj policisë, nën hetim edhe efektivi

22/08/2016 00:00

Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen e Shëngjinit, ku dy vëllezër u konfliktuan fizikisht dhe shkëmbyen grushte dhe shqelma me një efektiv të policisë rrugore, në aksin Shëngjin-Lezhë.

Duke qenë se e gjithë ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë të subjekteve që ndodheshin aty pranë, prokuroria nuk e ka patur të vështirë të ngrejë akuzat paraprake jo vetëm për dy vëllezërit Kola, por edhe për efektivin e policisë rrugore.

Burime nga Prokuroria e Lezhës kanë bërë me dije për Top Channel se ndaj vëllezërve Kola, njëri prej të cilëve është shpallur në kërkim, është ngritur akuza e “kundërshtimit të punonjësit të policisë” dhe “goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim”.

Pamjet tregojnë se si dy vëllezërit, ndonëse qarkullonin me automjetin e tyre në kahun e kundërt të lëvizjes, godasin efektivin në detyrë, i cili i ndaloi pikërisht për këtë shkelje.

Ndërsa ndaj agjentit të rrugores pranë Drejtorisë së Policisë së Lezhës, Andi Biba është ngritur akuza e “kryerjes së veprimeve arbitrare”. Kjo, për shkak se në pamjet filmike dallohet kur ai vazhdon të godasë një nga vëllezërit edhe kur ai ishte neutralizuar nga punonjësit e tjerë të policisë.

Për këtë episod, ndaj Bibës ka nisur një verifikim mbi veprimet dhe sjelljet edhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Top Channel