Reforma në drejtësi, nesër mblidhet komisioni dhe Konferenca e Kryetarëve

22/08/2016 00:00

E marta bën sërish bashkë anëtarët e Komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, në të njëjtën ditë kur kryetari i Kuvendit ka thirrur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Procesi i vetting-ut dhe parimet e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmendur si vija të kuqe nga misioni EURALIUS, pritet të jenë në qendër të mbledhjes.

Anëtarët e komisionit do të njihen me propozimet e ekspertëve lidhur me vërejtjet e EURALIUS dhe OPDAT, për përkufizimet teknike për ligjin e në fjalë.

Janë 4 parime që kanë të bëjnë me afatet, isntitucionet, rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe rolin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilat ndajnë në qëndrime sërish misionin EURALIUS dhe opozitën, pasi misioni ndërkombëtar i ka bërë një vlerësim vërejtjeve të PD.

Për opozitën, këto 4 parime, të cilat do të përkthehen bashkë në një ligj të vetëm, atë të vettingu-t, janë të nevojshme në mënyrë që ky proces të jetë i drejtë, efikas dhe të kthejë besimin te drejtësia.

Pjesë e axhendës së diskutimeve do të jetë edhe gjyqësori, por edhe ligji për prokurorinë anti-korrupsion, në nenin e të cilit nga OPDAT janë parashikuar ndëshkime edhe për median, shtesa këto që janë bërë javën e shkuar.

Pas mbledhjes së komisionit, në orën 18 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të vendosë datën kur do të thirret seanca e parë e sesionit të ri brenda gushtit, e cila me shumë gjasa do t’i hapë rrugë miratimit të ligjit të vetting-ut.

Duket se palët në tryezë duhet të dëshmojnë edhe një herë vullnetin politik të 21 korrikut për zbatimin e reformës dhe ligji i vetting-ut konsiderohet më i vështiri por edhe më delikati i saj.

Top Channel