Tenis, Marin Cilic fiton turneun e Sinsinatit

22/08/2016 00:00

Marin Cilic shkakton befasinë në SHBA, teksa fiton në Turneun Masters të Sinsinatit. Tenisti kroat theu në finale Andy Murray, duke i dhënë fund serisë së 22 fitoreve radhazi të britanikut.

Në këtë ndeshje Cilic u shfaq superior ndaj kampionit olimpik, duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 2-0 (6-4 dhe 7-5) për të shënuar suksesin e tij të parë në në një turne Masters në 71 paraqitje të tij.

Në të njëjtën kohë, ai i  dha fund edhe dominimit të “Katër Fantastikëve”: Djokovic, Murray, Federer e Nadal, të cilët kanë mundur të fitojnë 18 turnetë e fundit Masters.

“4-5 muajt e fundit kanë qenë më të mirët për mua. Megjithatë, mendoj se ka ende disa gjëra të cilat mund t’i përmirësoj”, deklaroi Murray.

Ndërsa Cilic, për të cilin kjo është fitorja e tretë në 14 ndeshje ndaj Murray, theksoi se ky sukses në Mastersin e Sinsinatit ishte një hap i madh i bërë prej tij dhe se shpreson që ai të vazhdojë në këtë mënyrë.

Top Channel