Akuzat e PD për policinë, MPB: Vlerësimin real e bëjnë qytetarët

22/08/2016 00:00

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, nga Himara ku ndodhet në kuadër të panairit “Ditë e hapur me policinë”, ka deklaruar se, dikasteri i saj është i vendosur në luftën kundër krimit të organizuar, çdo forme të trafiqeve dhe për të siguruar edhe një herë siguri për qytetarët.

“Qyteti i bukur i Himarës ka hapur dyert dhe ka shumë vizitorë që vizitojnë stendat e policisë dhe janë të kënaqur me shërbimet që ofron policia”, ka thënë Gjebrea.

Ndërsa zv/ministri Stefan Çipa, duke iu përgjigjur interesit të mediave sa i takon akuzave të PD ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit ka deklaruar se janë qytetarët ata që bëjnë vlerësimin e duhur.

“Më mirë t’ia lëmë qytetarëve vetë. Qytetarët e shumtë që frekuentojnë këtë panair, në Tiranë, në Vlorë, në Himarë sot dhe më pas në Sarandë në kulmin e sezonit turistik janë treguesi se jo vetëm shqiptarët por edhe vizitorët e shumtë të huaj shikojnë “Policinë që Duam””, ka thënë Çipa.

Ai ka theksuar se, policia është në shërbim të qytetarëve, në shërbim të turizmit dhe në shërbim të komunitetit. “Pra, këtë dallim e thonë vetë të gjithë vizitorët e shumtë që frekuentojnë këtë panair dhe, në ndryshim nga policia që propagandojnë disa, kuptohet se ata shikojnë realisht policinë në shërbim të komunitetit”, ka thënë Çipa.

Top Channel