Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të kopshtit 25 në njësinë numër 5, duke e çuar kështu në 14 numrin total të kopshteve të rikonstruktuara deri tani në të gjithë kryeqytetin.
Punimet e realizuara nga donatorët u inspektuan nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili pasi pa kushtet që ofron ky ambjent për fëmijët theksoi se, ky është standardi i të gjitha punëve që Bashkia e Tiranës po bën në kryeqytet, në mënyrë të veçantë në infrastrukturën arsimore.
“Ky është kopshti i 14 që kemi rikonstruktuar, kemi edhe 9 të tjerë, të cilët në shtator, kur fëmijët të jenë kthyer nga pushimet, do t’i gjejnë këto hapësira shumë herë më të mira sesa i lanë përpara se të shkonin me pushime”, tha Veliaj.
Ai shtoi se pikërisht rritja e cilësisë së godinave, por edhe e shërbimit që ofrohet në këto kopshte ka rritur ndjeshëm kërkesat e prindërve për të çuar fëmijët e tyre në kopshtet publike.
Ndaj, ai falenderoi të gjithë qytetarët dhe bizneset që kanë dhënë një ndihmë sado të vogël në përmirësimin e infrastrukturës, fillimisht të çerdheve dhe tashmë të kopshteve.
Top Channel