Australi, huliganët lëshojnë krokodilë në shkollë

22/08/2016 00:00

Një grup prej tre vandalësh hynë me forcë në ambientet e një shkolle në Australi dhe shkaktuan një sërë dëmesh materiale. Por, e veçanta e këtij incidenti ishte se ata lëshuan tre krodokilë brenda në shkollë.

Pamjet e kamerave të sigurisë të publikuara nga policia shfaqin personat në fjalë që lëshojnë krokodilët brenda shkollës, më i madhi prej të cilëve ishte 2 metra i gjatë. Ndërsa gjestet e tyre vandale nuk kanë nevojë për shpjegim, autoritetet thonë se nuk është e qartë pse krokodilët u lëshuan brenda shkollës.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë dhe në shkollë nuk kishte nxënës apo staf që lëshimi i krokodilëve të kishte ndonjë efekt. Incidenti u shënua në kolegjin Taminmin, në provicën e territorit verior.

Vandalët e maskuar po kërkohen nga policia e cila ka kërkuar ndihmën e publikut për këtë. Sipas mediave ata përballen me gjoba deri në 50 000 dollarë për mizori ndaj kafshëve, ndërsa duket se dëmet ndaj pajisjeve të shkollës duhet të jenë shumë më të vogla, pasi nuk janë përmendur fare.

Top Channel