Kundërshtuan me dhunë policin, arrestohet 27-vjeçari, në kërkim i vëllai

21/08/2016 00:00

Policia ka arrestuar 27-vjeçarin Blerti Kola dhe po kërkon të vëllain e tij 30 vjeç. Ngjarja ndodhi në Shëngjin dhe është dokumentuar me pamje filmike ku duket se pas një parakalimi në krah të kundër në rruge dy vëllezërit kundërshtojnë policin e qarkullimit e më pas mes tyre nis një përleshje.

Në manovrim e sipër i shkelin këmbën policit, i cili më pas kërkon të shoqërojë drejtuesin e mjetit për veprimin e kryer.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale që duket se është marrë nga kamera e sigurisë së ndonjë biznesi në zone, dy vëllezërit sulmojnë me grushta policin i cili kundër-përgjigjet.

Ndërkohë është njoftuar edhe grupi i gatshëm i policisë. Në zonë shpërthen një përleshje dhe kalimtarët mundohet të hyjnë në mes të policit të qarkullimit dhe të dy vëllezërve.

Dhuna vazhdon disa minuta dhe sipas policisë efektivi me inicialet A.B ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore. Akuza e ngritur ndaj dy vëllezërve është “Goditje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë verifikimet për veprimet e punonjësit të policisë rrugore, si dhe po bëhet këqyrja e kamerave të ambienteve përreth për të siguruar videon e plotë te ngjarjes.

Policia e Shtetit bën me dije nga ana tjetër, se goditja e punonjësit të policisë është vepër penale dhe çdo punonjës policie ka tagrin të reagojë, qoftë edhe duke përdorur forcën, ndaj çdo shtetasi që e godet atë për shkak të detyrës.

Top Channel