Akuzat, IKMT: PD të mos hedh baltë, ja si është e vërteta

21/08/2016 00:00

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike se një kat pa leje po shtohet në një objekt, i cili sipas PD po realizohet nga deputeti Sadri Abazi.

“E vërteta është se shtesa në fjalë është e legalizuar dhe ndërtimi për të cilin akuzon, apo më saktë shpif Partia Demokratike,është një rikonstruksion me të gjithë dokumentacionin përkatës, ku nuk ka asnjë metër katror shtesë në volumet e godinës që gjendet e regjistruar në Hipotekën e Tiranës”, thuhet në reagimin e IKMT.

Reagimi i plotë i IKMT
IKMT nuk përgjigjet për përçartjet e PD

Nuk jemi të çuditur nga sulmi i Partisë Demokratike lidhur me një shtesë kati të realizuar në vitin 2012 kur kryetari i PD Lulëzim Basha ishte kryetar bashkie dhe Tirana ishte vatra më e nxehtë e ndërtimeve pa leje!

Sepse nuk është hera e parë që ish-kryetari i bashkisë sulmon dhe përbalt punën e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

E vërteta është se shtesa në fjalë është e legalizuar dhe ndërtimi për të cilin akuzon, apo më saktë shpif Partia Demokratike, është një rikonstruksion me të gjithë dokumentacionin përkatës, ku nuk ka asnjë metër katror shtesë në volumet e godinës që gjendet e regjistruar në Hipotekën e Tiranës.

Kështu që duke e ftuar opozitën të kontribuojë në denoncimin e rasteve të rralla të ndërtimeve pa leje, hedhim poshtë pretendimin e saj në këtë rast.

Qëllimet politike të opozitës nuk janë arsye për të shpifur e hedhur baltë mbi institucionet.

Top Channel