Korçë, sulm me armë të ftohta; pranga agresorit

21/08/2016 00:00

Policia e Korçës i ka dhënë fund një konflikti fizik që mund të mbyllej me vrasje, duke arrestuar në flagrancë agresorin.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se, në pranga ka rënë shtetasi Skënder Shahinasi, i cili po bëhej gati të sulmonte një person tjetër me një sëpatë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur pas një konflikti të çastit, që sipas policisë lindi për motive të dobëta, Shahinasi goditi disa herë me thikë një 58-vjeçar.

Pasi kanë marrë sinjalizimin, uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur dërgimin e të plagosurit në spital.

Ndërkohë, forcat e rendit kanë bllokuar autorin e sulmit në afërsi të banesës së tij, i cili në atë moment mbante në dorë një sëpatë.

Sipas burimeve, gjasat janë që Shahinasi po bëhej gati për të përshkallëzuar agresionin e tij ndaj të plagosurit, i identifikuar me inicialet E.SH.

Top Channel