Gushti i virozave; 300 raste në ditë në pediatrinë e Tiranës

21/08/2016 00:00

Jini të kujdesshëm, së paku edhe për këto ditë të fundit të gushtit. Thirrja vlen më shumë për të vegjlit, të cilat janë edhe më të prekurit nga virozat e stinës, kryesisht për shkak të luhatjeve të shpeshta të motit.

Të vjella, temperaturë apo gjendje të fikti janë rastet që paraqiten çdo ditë në urgjencën e Përgjithshme pediatrike në QSUT, kryesisht për fëmijët e moshave 2-10 vjeç.

Çdo ditë, sipas regjistrit të urgjencës pediatrike paraqiten 250-300 raste, nga të cilat ka edhe shtrime në repartin e pediatrisë por jo në fluksin e viteve të shkuara.

Mjekët pediatër thonë se nuk bëhet fjalë për helmime por janë shtuar rastet e fëmijëve me probleme gastroenterite pra diarre, të vjella, shoqëruar apo jo me temperaturë dhe viruse në rrugët respiratore, të cilat nëse prindërit janë të vëmendshëm, mund të shmangen.

Higjiena personale, larja e duarve sa më shumë të jetë e mundur gjatë ditës, qëndrimi në ambiente të freskëta dhe lëngjet, mund të jenë shpëtimi për këto ditë të fundit gushti.

Top Channel