20 gushti do të ishte edhe afati i fundit për aplikimin e çelur nga Ministria e Kulturës për drejtorin e ri të TKOB-së, afat i cili, për shkak të fundjavës, është shtyrë deri ditën e hënë. Kur ka mbetur edhe vetëm 1 ditë nga mbyllja e aplikimeve, burime nga Ministria e Kulturës zbulojne për Top Channel kandidaturat e mundshme për këtë post.

Tenori nga qyteti i Kavajës, Agim Hushi, e nisi karrierën e tij nga skena, të cilën synon ta drejtojë, ndërsa për shumë vite studioi e punoi në Budapest. Hushi ka prekur skena të shumta operistike në Itali, Vjenë e deri në Australi, ndërsa prej pak kohësh vizitat e tij në Shqipëri janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Peshën e drejtimit të një institucioni publik, Hushi ende nuk e ka provuar dhe zgjedhja në krye të TKOB-së do të ishte e para për të.

Gara për drejtimin e Teatrit të Operas duket e fortë, pasi përballë Hushit është një tjetër tenor i suksseshëm në skena botërore, veçanërisht në ato italiane. Tenori nga qyteti i Vlorës, Josif Gjipali, i cili prej disa kohësh i mungon skenës shqiptare, mësohet të ketë dorëzuar dosjen e tij pranë Ministrisë së Kulturës. Edhe për Gjipalin drejtimi i një institucioni do të ishte një përvojë e re.

Gara për drejtuesin e një ndër institucioneve më të rëndësishme kulturore në vend, siç është ai TKOB, u hap më 4 gusht, pasi ish-drejtuesi Ilir Kerni dha dorëheqjen. Në thirrjen për aplikim, reforma menaxheriale merr vëmendjen kryesore, një sfidë për të dyja kandidaturat, pasi për të dy tenorët, drejtimi i një institucioni të tillë do të jetë një eksperiencë e re.

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga mbyllja e aplikimeve, mbetet për t’u parë nëse titulli i drejtuesit do të qëndrojë mes dy tenorëve apo do të shtrihet edhe në të tjerë personazhe publike nga sfera të tjera të kulturës.

Top Channel