Kryebashkiaku i Londrës kundër Corbyn

21/08/2016 00:00

Kreybashkiaku i ri i Londrës, Sadiq Kahn i ka kërkuar anëtarëve të partisë së tij Laburiste në opozitë që të mos votojnë për kryetar të ri të partisë udhëheqësin aktual Jeremy Corbyn. Në një shkrim të botuar në gazetën e së djelës “The Observer”, Kahn paralajmëron se Partia Laburiste e opozitës “nuk mund të vazhdojë dot më si deri më tani”, duke kërkuar largimin e Corbyn nga drejtimi i partisë gjatë zgjedhjeve në parti që zhvillohen muajin e ardhshëm.

Këto zgjedhje ribëhen sërish pasi Corbyn humbi votëbesimin në Parlament nga 80% e grupit të tij parlamentar, por duket se gëzon mbështetjen e një pjese të partisë, kryesisht militantë dhe ekstremistë të majtë, si dhe sindikatave britanike që kanë një rol të fuqishëm në financimin e Partisë Laburiste.

Kryebashkiaku popullor i Londrës, i cili deri më tani nuk është pronuncuar se cilin kandidat për kryetar partie mbështeste, sot ka përkrahur publikisht rivalin e Corbyn , ish-ministrin hije për çështjet e Punës dhe Pensioneve, Owen Smith.

Në artikullim e tij, Sadiq Kahn thekson se udhëheqësi laburist “ka humbur besimin dhe respektin e britanikëve”, duke thënë se mungesa e lidershipit u bë më e qartë gjatë referendumit për daljen e Britanisë nga BE-ja. Sipas tij, udhëheqësi laburist i opozitës ka nivelet më të ulta në sondazhet e opinionit publik të një lideri të opozitës deri më sot dhe se kjo parti po vuan mjaft si rezultat.

“Referendumi ishte një test ku Corbyn dështoi totalisht. E përse gjërat do duhet të jenë ndryshe në zgjedhjet e përgjithshme?”, pyet kryebashkiaku i ri i Londrës.

Partia Laburiste është në një krizë të madhe që pas referendumit, ku Jeremy Corbyn nuk bëri fushatë të fuqishme pro qëndrimit, çka ai e hedh poshtë. Corbyn mbetet favorit për të fituar sërish në zgjedhjet në parti për udhëheqësin e ri të opozitës më 24 shtator, ku kritikët e tij thonë se një fitore e tij sërish është prelud i një humbjeje katastrofike në zgjedhjet e reja të përgjithshme apo të parakohshme.

Top Channel