PD: S’ndalet ndërtimi pa leje i oligarkut Sadri. A lidhet favori i Ramës me zgjedhjet në Dibër?

21/08/2016 00:00

Ina Zhupa, zëdhënëse e Partisë Demokratike, u shpreh në një deklaratë për mediat se “edhe pas denoncimit publik, edhe pas denoncimit që kanë bërë banorët e zonës, një kat i tërë me qindra metra katrorë në zemër të Tiranës, vazhdon të ndërtohet pa leje, por me bekimin e Edi Ramës”.

“Kjo shkelje haptazi e ligjit ndodh çdo ditë prej të paktën një jave dhe ligji nuk e zë oligarkun e Edi Ramës, Sadri Abazi. Mijëra njerëz kanë hyrë në burg këto tre vite dhe janë edhe sot në qeli për një avlli pa leje, apo një rregullim tjegullash. Përfundojnë në pranga qytetarët për një gjë shumë të vogël brenda shtëpisë së tyre, ndërsa Sadriu i Ramës bën një kat pa leje tek stacioni i trenit, përqesh banorët, tallet me policët dhe asgjë nuk ndodh. Fqinjët e oligarkut të Ramës kanë njoftuar policinë dhe INUK-un para dy ditësh. Ata u paraqitën, por u larguan pas 5 minutash, pa marrë asnjë masë. Ndërtimi vazhdon edhe në këtë moment që flasim”, u shpreh zëdhënësja e PD-së.

“Pse nuk e kap ligji Sadriun? Pse ligji funksionon për qytetarët, por jo për Sadriun? Sepse me Edi Ramën nuk ka ligj, por ka sundim bande. Ka dhe një arsye tjetër pse ligji nuk e kap Sadriun, sidomos këto ditë. Janë zgjedhjet në Dibër. Sadriut i është kërkuar të hidhet në sulm e të blejë sa më shumë vota dhe në këmbim i lejohet të ndërtojë pa leje dhe kundër ligjit, si dhe favore të tjera për të cilat do të denoncojmë nesër. Kjo padrejtësi duhet të marrë fund”, shtoi Ina Zhupa në deklaratën e saj.

Top Channel