PD: Dhuna ndaj votës, Edi Rama nis kërcënimin e mësuesve në Dibër me njoftim largimi

21/08/2016 00:00

Partia Demokratike, me anë të një deklarate të deputetit Gent Strazimiri, bëri me dije se “Edi Rama është hedhur në aksion për të kapur, dhunuar e blerë votën e qytetarëve te Dibrës”.

“Ai po përdor çdo mercenar e çdo instrument që ka në dorë për të mos lejuar votën e lirë të qytetarëve, sepse e di mirë se cili është gjykimi i popullit për të, e di mirë se e pret ndëshkimi i popullit për qeverisjen e tij të varferise, papunesise,  korrupsionit dhe krimit. Spikat së fundmi drejtori i Arsimit në Dibër, Drin Gjeci, i cili thërret arsimtarët në zyrë, duke i kërcënuar me njoftime për largim nga puna, nëse nuk votojnë kandidatin e qeverisë. Janë rreth 300 arsimtarë të kërcënuar deri tani. E njëjta metodë u përdor edhe në zgjedhjet e 2015, ku mësuesit u shantazhuan me vendin e punës, me bukën e gojës për të dhënë votën për qeverinë. Ky mercenar i Edi Ramës në Dibër, jo vetëm u ka marrë para mësuesve për t’i futur në punë dhe për këtë ekzistojnë edhe video, por tani ju kërkon edhe votën që të qëndrojnë në punë”, deklaroi Strazimiri.

“Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin për këtë drejtor të korruptuar që kërcënon qytetarët me vendin e punës, në këmbim të votës. Ju bëjmë thirrje arsimtarëve të Dibrës dhe po kështu edhe të gjithë punonjësve të sektorit publik të refuzojnë me përbuzje këto kërcënime kriminale. Këto janë grahmat e fundit të një bande që kërkon me çdo mjet të zgjasë ditët e saj. Mercenarët e Edi Ramës, Drin Gjeci me shokë, duhet ta dinë mirë që presionet e tyre janë dhe do të jenë të vëzhguara, të dokumentuara dhe do të shërbejnë si provë jo vetëm për vëzhguesit e partnerët ndërkombëtarë, por sidomos për prokurorinë e gjykatën para të cilave do të japin llogari e do të përgjigjen deri më një për krimet e tyre zgjedhore e korruptive. Dibra është e dibranëve dhe vetëm ata do të vendosin me votën e tyre të lirë për kryebashkiakun. Bashkimi i madh popullor do të hedhë poshtë çdo përpjekje, çdo krim elektoral, çdo mercenar të korruptuar të Edi Ramës”, shtoi Strazimiri.

Top Channel