Tjetër medalje e artë për Mo Farah

21/08/2016 00:00

Mo Farah fiton një tjetër medalje të artë në Lojërat Olimpike. Këtë radhë, atleti britanik fitoi në  garën e 5000 m, duke u bërë i dyti sportist në botë që arrin të fitojë titullin olimpik si në 5 000 ashtu dhe 10 000 m, pas finlandezit Viern në 1972 dhe 1976.

Farah, për të cilin kjo ishte e katërta medalje e artë olimpike, në 5000m arriti të fitojë me kohën 13 minuta, 3 sekonda e 30 të qindtat. Në vendin e dytë u rendit amerikani Chelimo, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi etiopiani Gebrivet.

Në hedhjen e shtizës për meshkuj, medalja e artë i shkoi gjermanit Tomas Rohler me 90.3 m. Në vendin e dytë u pozicionua kampioni i botës në këtë disiplinë, keniani Jega, i cili e mbylli garën me 88.24 m, ndërsa në vendin e tretë me medaljen e bronztë u klasifikua Keshorn Uolkot nga Trinidad Tobago, me 85.38 m

Në garën e 800 m për femra ajo që triumfoi ishte Caster Semenja, e cila u bë e para atlete afrikanojugore që merr një medalje të artë olimpike në 64 vjet. Semenja e përshkoi këtë distancë me kohën 1 minutë, 55 sekonda e 28 të qindtat. Medaljen e argjendtë e fitoi Fransin Nijonsaba nga Burundi, ndërsa ajo e bronztë i shkoi kenianes Margaret Vambui.

Në stafetën 4×400 m për femra, skuadra e SHBA fitoi medaljen e 6 të artë radhazi në Lojërat Olimpike. Në këtë garë, skuadra amerikane kishte në përbërje Elizon Feliks, e cila gjithashtu e çoi në 6 numrin e titujve olimpikë në karrierë. SHBA e fitoi garën me kohën 3 minuta 19 sekonda e 6 të qindtat. Në vendin e dytë u rendit Xhamajka, duke marrë medaljen e argjendtë, ndërsa atë të bronztë e fitoi Britania e Madhe.

Surpriza e mbrëmjes në garat e atletikës mban emrin Methju Centrovitz, që fitoi medaljen e artë në 1500 m për meshkuj, një sukses ky që i mungonte SHBA që nga viti 1988. Centrovitz e fitoi garën me kohën 3 minuta e 50 sekonda. Në vendin e dytë u rendit algjeriani Maklufi, ndërsa në medalja e bronztë i shkoi Nikolas Uillis nga Zelanda e Re.

Top Channel