Irani mund t’i ofrojë Rusisë baza të tjera ajrore

20/08/2016 00:00

Ministri iranian i Mbrojtjes, Hossein Deqhan deklaroi të shtunën se Teherani mund t’i lejojë avionët luftarakë rusë që të përdorin më shumë baza ajrore në vend, në luftën kundër terrorizmit në rajon.

“Aktualisht përdorimi i më shumë bazave iraniane nuk është në agjendën tonë, por nëse kushtet operacionale do ta kërkojnë këtë, atëherë do të merren vendimet e duhura”, deklaroi Deqhan.

Sipas së përditshmes “Tehran Times”, në këtë rast ministri i është referuar përdorimit të bazës ajrore Hamadan, në Perëndim të Iranit, nga Rusia.

Sa u takon shërbimeve që u ofrohen skuadriljeve ruse në bazën në fjalë, ministri sqaroi se, “Irani mund të ofrojë riparime dhe madje të ngarkojë avionët luftarakë me armatime”.

Deqhan e përshëndeti bashkëpunimin e vendit të tij me Rusinë duke e cilësuar “strategjik” dhe duke thënë se, ai synon vendosjen e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajon.

Operacionet ruse nga Irani nisën ditën e martë, sikurse u konfirmua nga Ministria ruse e Mbrojtjes dhe autoritetet iraniane. Në reagimin e tij, Departamenti amerikan i Shtetit tha se përdorimi i bazave iraniane nga Rusia ishte diçka e gabuar, por jo e papritur.

Top Channel