Afganistan, trupat qeveritare i marrin Kunduzin talebanëve

20/08/2016 00:00

Trupat qeveritare afgane kanë rimarrë nën kontroll një rajon të rëndësishëm në provincën veriore të Kunduzit, që ishte në duart e talebanëve.

Lajmin e ka bërë të ditur guvernatori i provincës, por burime konfidenciale të BBC deklarojnë se guerrilasit janë ende të pranishëm në rajon.

Forcat qeveritare të ardhura si përforcime synojnë hapjen e rrugës që çon për në Kunduz, saktësoi guvernatori. Edhe televizioni lokal “Tolo TV” raportoi se trupat ushtarake kishin rimarrë Khanabadin, që ndodhet vetëm 30 km në lindje të Kunduzit.

Më herët gjatë ditës së shtunë, guerrilasit talebanë sulmuan nga drejtime të ndryshme, duke detyryar trupat qeveritare që të tërhiqeshin.

Talebanët kanë fituar shumë terren që kur trupat ndërkombëtare i dhanë fund pjesëmarrjes në operacionet luftarake në vitin 2014. Nga ana e tyre, forcat afgane të sigurisë po luftojnë me rebelët në thuajse gjysmën e 34 provincave që ka vendi.

Kunduzi është një nga qytetet më të mëdha të Afganistanit dhe prej kohësh luan një rol strategjik për transportin e furnizimeve për në veri të vendit.

Por ai ka edhe një domethënie simbolike për talebanët, pasi ishte bastioni kryesor i tyre deri në vitin 2001, kur dhe ranë nga pushteti.

Top Channel