Një pjesë e mirë e njerëzve i urren lartësitë, por ka nga ata që i adhurojnë ato. Dhe këtu bëhet fjalë për lartësi të mëdha si Kilimanxharo apo Mali i Bardhë.

Anjeza Kolasi është e para femër shqiptare e cila ka ngjitur majën më të lartë të Europës. Ajo nuk është alpiniste, por farmaciste, thjesht adhuron lartësitë dhe kontaktin me natyrën.

“Përpara 3 vitesh, kur një ekip po nisej për në Gramoz, vendosa menjëherë t’u bashkohem, megjithëse nuk kisha as përgatitjen fizike për të ngjitur një mal. E mora vetë nismën. Me këtë e kam nisur dhe pastaj më pëlqeu si përvoja dhe fillova të merrem më seriozisht”, rrëfen Anjeza.

Nëse bën një kërkim të thjeshtë për Mount Blanc në Google, përveç informacioneve të zakonshme, gjen edhe paralajmërime të tilla si renditja e arsyeve pse nuk duhet ndërmarrë një ngjitje e tillë, apo edhe cilësimi i Mont Blanc si një nga malet më vdekjeprurëse në botë.

“Kisha lexuar shumë pak sepse nuk doja që të dija çdo gjë paraprakisht, doja të lija disa gjëra surprizë. Kisha atë informacionin bazë për të qenë e sigurtë për jetën. Mesa kalova dhe mesa pashë, nuk ishte shumë i rrezikshëm. Me përgatitjen fizike dhe mendore të duhur mund të kalohet shumë mirë”, rrëfen alpinistja amatore.

Edhe pse gjithmonë ka adhuruar natyrën, aventurat e saj me grupet e alpinistëve, Anjeza i ka nisur tre vite më parë. Një alpiniste fillestare-profesioniste, e cila për tre vite arrin majën më të lartë të Europës.

“Ngjitja në malet e Shqipërisë është e bukur sepse me anë të kësaj ngjitjeje krijon imazhin e relievit të vendit. Ngjitjet më të larta të japin një ndjesi tjetër, atë të sfidës që duhet kaluar. Për shembull, Kilimanxharo ka qenë një ngjitje shumë e bukur, por edhe Mount Blanc ka qenë super”, shton ajo.

Por Anjeza tregon se megjithë kënaqësinë që të jëp një sport i tillë, nuk kanë munguar momentet e vështira kur ka menduar të kthehet pas.

“Kur isha në Kilimanxharo dhe isha në nivelin e 4 mijë metrave vendosa të kthehesha sepse nuk mbushesha me frymë. Pas qëndrimit një natë në kamp, në mëngjes isha më mirë edhe grupi ishte shumë mbështetës duke më dhënë zemër dhe vazhdova e u kapërcye”, rrëfen sot Anjeza.

Çdo të thotë të jesh në majë të gjithçkaje dhe botën ta shohësh nga lart?

“Në majë je shumë në rregull me veten, ke një paqe të paparë, një ndjesi unike dhe më e rëndësishmë është ajo që gjithkush mundet, t’ja dalin edhe gjërave shumë të vështira”, thotë alpinistja shqiptare.

Anjeza Kolasi është nënë e dy fëmijëve dhe mbështetja e familjes ka qenë një forcë e madhe për të vazhduar pasionin e saj, ndërsa si farmaciste ajo këshillon ecje të gjata dhe afrimitet me natyrën.

Top Channel