Tjetër nen kundër medias, Bylykbashi: Nuk do të kalojë

20/08/2016 00:00

Sesioni i ri parlamentar pritet të nisë me votimin e ligjit të ‘vettingut’. Javën e ardhshme, ky ligj do të marrë rrugën drejt miratimit. Të martën kreu i Kuvendit, Ilir Meta, pas konsultave me krerët e grupeve parlamentare të PS dhe PD, do të thërrasë Konferencën e Kryetarëve, e cila do të vendosë edhe për datën e mbledhjes së seancës për votimin e ligjit.

Por opozita ka identifikuar një tjetër nen që prek median dhe që pritet të shkaktojë po aq debat sa neni 13 në ligjin për aktivitetin e Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion.

Edhe në ligjin për funksonimin e prokurorisë së zakonshme, në nenin 6 është shtuar një pikë që parashikon të njëjtën gjë sikurse për median, që parashikohet në ligjin për Prokurorinë e Posaçme.

“Çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë, që cënon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit”, thuhet në nenin 6.

Sipas nënkryetarit të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Oerd Bylykbashi, Partia Demokratike do ta kundërshtojë edhe këtë pikë, e cila është bërë pjesë e projektligjit për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë 3 ditë më parë, ndërsa është hartuar e diskutuar në ditët kur opozita nuk ka qënë e pranishme në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm.

Bylykbashi thekson se ky ligj i ri, që vret lirinë e medias, nuk ka asnjë mundësi që të kalojë. Dy nenet, që ndryshe janë cilësuar edhe si “Vettingu i medias”, janë përfshirë vetëm pak ditë më parë në draftin e hartuar nga ekspertët amerikanë të OPDAT.

Pas kontestimit të opozitës dhe medias, kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën, Fatmir Xhafaj deklaroi se neni në ligjin për Prokurorinë e Posaçme do të rishikohet, pasi qëllimi nuk ka qenë cënimi i medias por mbrojtja e prokurorëve. Pritet tashmë të mësohet nëse të njëjtin qëndrim komisioni do të mbajë edhe për nenin në prokurorinë e zakonshme.

Top Channel