Kandidati për president i UEFA-s viziton Shqipërinë

19/08/2016 00:00

Aleksander Ceferin, një nga 3 kandidatët për postin e presidentit të UEFA-s, ka zhvilluar këtë të premte një vizitë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Aktualisht president i Federatës Sllovene të Futbollit, Ceferin është pritur nga numri 1 i futbollit shqiptar Armando Duka, të cilit i ka bërë të ditur programin e tij nëse do të zgjidhet në krye të UEFA-s.

Në konferencën për shtyp pas takimit, Ceferin pohoi se një nga pikat e programit të tij është të përfshijë në UEFA edhe ato vende të cilat ende nuk janë anëtarësuar në këtë organizëm.

Ai pohoi gjithashtu se do të punojë për të çuar futbollin përpara dhe njëkohësisht do të mundohet të ndihmojë federatat e vogla.

Zgjedhjet për kreun e ri të UEFA-s do të mbahen më 14 shtator në Athinë, ku në garë do të jenë slloveni Ceferin, holandezi Van Prag dhe spanjolli Angel Maria Vijar.

Top Channel