Kosovë, VV: S’ka stabilitet pa dorëheqjen e Veselit dhe Thaçit

19/08/2016 00:00

Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin në protestat e organizuara kundër korrupsionit, pasi siç thanë ata vetëm kështu mund të largohen të korruptuarit.

Deputetja dhe anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka thënë se po vazhdojnë përgjimet tjetër nga dosja e shefave, ku vërehet se synimi për t’i kapë institucionet publike dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me punësim por për ta kapur kontrollin mbi shtetin, duke mos u rrezikuar që të dënohen.

“Procese gjyqësore ndaj këtyre kriminelëve edhe nëse ka pasur ato janë ndërprerë. Sot e kemi kryeprokurorin ku thotë se nuk kemi hetime të mjaftueshme për hetim. Në përgjimin e djeshëm Adem Grabovcit i thuhet se në një vend të caktuar pune duhet të dërgohet njeriu i tyre sepse ka 3 milionë euro të hyra”, ka thënë ajo.

Kurse, anëtari tjetër i kryesisë së këtij subjekti, Ylli Hoxha tha se pa dorëheqjen e dy kokave të krimit, Thaçi e Veseli, nuk mund të ketë stabilitet e as shtet të mirëfilltë.

Haxhiu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në këtë protesta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Top Channel