E nisi me ciklin “Eksploratoret” përballjen e parë me publikun shqiptar, me entuziazmin se do të zgjastë pak kjo ndjesi për të kaluar më pas në subjekte të tjera.

Por ndodhi krejt e kundërta, piktori Alkan Nallbani zbuloi kujtime e imazhe të një fëmijërie të shkuar, në Shqipërinë e largët për të, pasi prej shumë vitesh jeta e tij është fokusuar në Nju Jork. Kujtimet e Beratit, ku lindi dhe Tiranës ku studio, Nallbani i sjell në 90 kuadro, të ekspozuara në Galerinë Kombëtare të Arteve.

“Është një koncept fillestar eksplorimi, shumë prej nesh rigjejnë veten. Në të është eksplorimi im, por në të njëjtën kohë edhe publiku do të kishte dëshirë të eksploronte më shumë. Për mua e para është kërkimi në të kaluarën, në fëmijëri, në kujtimet e heronjve të së kaluarës”, shprehet Alkan Nallbani, piktor.

Në traditën shqiptare vaji shoqëron gëzimet dhe hidhërimet e njeriut si dasma apo morti, koncept të cilin artisti e sjell në tablotë e tij, si një mënyrë për të ngacmuar publikun.

“Jemi bërë indiferentë, edhe ndaj Luftës në Lindjen e Mesme. Nuk ndalojmë në imazhet që shohim në të përditshmen tonë. Me vajtimin, me këtë moment kaq sublime të jetës njerëzore, përpiqem të ndaloj publikun të kuptojë çfarë po ndodh”, thotë Nallbani.

“Eksploratoret” e Alkan Nallbanit do të presin publikun deri në datën 4 shtator në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Top Channel