Notarët amerikanë në Rio, nga akuzues në të akuzuar

19/08/2016 00:00

Nga akuzues në të akuzuar. Ky është fati i katër notarëve amerikan, mes të cilëve edhe rekordmenit Ryan Lochte, të cilët pak ditë më parë deklaruan me të madhe në policinë braziliane se ishin grabitur nga disa persona të veshur si policë.

Por një video e siguruar nga kamerat e sigurisë së një pike karburanti në Rio i ka nxjerrë gënjeshtarë notarët olimpik amerikan.

Aty shihet qartë se Lochte dhe shokët e tij kryen akte vandalizmi duke u përfshirë edhe në një përleshje me forcat e sigurisë, një ngjarje që më vonë ata e përshkuan si një grabitje me armë në kokë.

Pas këtyre pamjeve, janë tashmë autoritetet braziliane ata që akuzojnë sportistët amerikan për vandalizëm dhe dëshmi të rreme. Medalisti Rajan Lohte, arriti të largohej nga Brazili, përpara se gjykata të miratonte një urdhër arresti për të, ndërkohë që notarët e tjerë nuk e patën këtë fat dhe u ndaluan në aeroport nga policia.

Pas publikimit të videos, Komiteti Olimpik amerikan ka kërkuar falje për atë sjellje të notarëve të tyre.

“Ajo që kanë bërë ata nuk përfaqëson vlerat amerikane”, ka deklaruar presidenti Scott Blackmun. Ndërkohë mësohet se njëri prej notarëve, Jimmy Feigen, do të paguajë 11 mijë dollarë për një shoqatë bamirësie si “kompensim” për atë që ka ndodhur. Nga ana tjetër, kjo ngjarje mund t’i kushtojë Ryan Lochte, i cili rrezikon të humbasë edhe kontratat e sponsorizimit.

Top Channel