Trump “lakuriq”, statuja në disa qytete

19/08/2016 00:00

Statuja në përmasa reale dhe lakuriqe të Donald Trump u shfaqën në disa qytete amerikane dhe tërhoqën vëmendjen e shumë njerëzve.

Qytetarët në New York, Los Angeles, Seattle, San Francisco dhe Cleveland shfrytëzuan mundësinë e papritur për të bërë selfie me kandidatin e zhveshur, megjithëse jo për së gjalli dhe sigurisht pa lejen e tij.

Vendosja e statujave u mor përsipër nga një grup aktivistësh që njihen me emrin “Indecline”. “Këto statuja jetëshkurtër paraqesin makthin aktual jetëshkurtër dhe në vjeshtë, ne do të qeshim me përpjekjen e dështuar të Donald Trump për t’u bërë president”, shkruhej në komunikatën e grupit të aktivistëve, qartësisht jo mbështetës të miliarderit dhe as në mëdyshje për votën e nëntorit.

Sidoqoftë, shumë prej kalimtarëve u argëtuan nga statujat dhe e vlerësuan humorin e tyre. Ashtu si paralajmëroi edhe grupi i aktivistëve, statujat ishin vërtetë jetëshkurtra, pasi autoritetet lokale ndërhynë me shpejtësi për ti hequr, pasi ishin vendosur pa asnjë leje.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel