Lëmoshë 5 dollarë lypësit, por vërshojnë kritikat

19/08/2016 00:00

Thuhet se asnjë vepër e mirë nuk kalon pa u ndëshkuar dhe të paktën në rastin e kryeministrit australian kjo shprehje duket e vërtetë.

Malcolm Turnbull, ndërsa po shkonte për të mbajtur një fjalim në një forum ekonomik në Melburn, ndaloi dhe i dha 5 dollarë një lypësi. Por ky akt i thjeshtë bujarie u shndërrua në një debat të madh që përfshiu të gjithë vendin.

Shumë njerëz thanë se Turbull është koprrac. Ai njihet për pasurinë e tij dhe duket në video që kartmonedhën 5 dollarëshe  e nxjerr nga një tufë e madhe parash. Komentues politikë dhe qytetarë thanë se kryeministri duhet t’i kishte dhënë më shumë para lypësit, madje e kritikojnë se shfaqi një shumë të madhe parash për t’i dhënë atij vetëm 5 dollarë.

Por kritikë të tjerë thonë se kryeministri as që duhej ta kishte bërë këtë gjest. Sipas tyre, paratë e i jepen lypësve nxisin zakonet e këqija të drogës dhe thellojnë varfërinë.

Ata sugjeruan se nëse Turbull dëshiron të tregohet bujar, mund të bëjë bamirësi përmes kanaleve zyrtare. Të tjerë mendojnë se bujaria s’ka të bëjë fare në këtë mes dhe kryeministri thjesht shfrytëzoi kamerat e pranishme për të fituar pikë.

Sigurisht që edhe mbështetja nuk i ka munguar dhe një nga komentet më të spikatuara ishte se kryeministri, pavarësisht shumës, ofroi diçka, gjë që shumë të tjerë nuk e bëjnë.

Top Channel