Evropa perëndimore, e pushtuar nga terrorizmi

19/08/2016 10:05

Viti 2016 deri tani ka shënuar numrin më të lartë të viktimave të terrorizmit në Evropën perëndimore që prej vitit 2004. Sipas BBC, e cila mori pjesë në këtë studim, në 7 muajt e parë të vitit, 143 persona u vranë në Evropë.

Gjithsesi, më pak se sulmet terroriste të Madridit në vitin 2004, që i kushtuan jetën 1919 njerëzve. Megjithatë, studimi thekson se në vitet ’70, numri i viktimave nga terrorizmi ishte shumë më i lartë dhe kjo tregon se Evropa po shënon një trend në rënie. Pavarësisht se aktet terroriste të këtij viti dhe viktimat e tyre tronditën thellësisht Evropën, ato përbëjnë vetëm 6% të viktimave të terrorizmit në rang global, pasi në vende si Iraku apo Siria janë shënuar jashtëzakonisht më shumë sulme.

Shifrat për studimin u morën nga Arkivi i të Dhënave për Terrorizmin Global ose GTD, që gjendet në Universitetin e Merilandit. Sipas përkufizimit të GTD, një sulm cilësohet terrorist kur dhuna përdoret për të arritur një qëllim politik, social, ekonomik apo fetar dhe kur kryhet nga dikush që nuk punon për qeverinë. Nëse Evropa shihet si e tërë dhe bazuar në këtë përkufizim, vdekjet nga terrorizmi për 2016 janë 892, shumë prej tyre në Turqi, e cila po kalon një periudhë shumë të vështirë.

Megjithatë, një pjesë e ekspertëve nuk janë dakord me këtë bilanc, pasi nuk llogarisin viktimat e grushtit të dështuar të shtetit si viktima të terrorizimit. Sidoqoftë, kjo ka pak rëndësi për përfundimin final se Evropa gjendet në një situatë delikate dhe mjaft problematike, ndërsa duket se nuk po gjen dot mënyrën që të përballet me kërcënimet që i janë paraqitur.

Top Channel