Në fshatin e tragjedisë, banorët: E gjithë familja ka probleme

18/08/2016 00:00

Tufa me lule dhe qirinj janë vendosur në vendin ku mëngjesin e të mërkurës u masakrua një 12-vjeçar nga një i afërm i tij.

Dëshmitarë i parë i ngjarjes ishte një punëtor sezonal nga Librazhdi, i cili vrapoi në vendin e ngjarjes menjëherë sapo ajo kishte ndodhur.

“Ishim duke punuar dhe dëgjuam një plakë që po bërtiste. Dolëm këtu dhe ishte i shtrirë pa kokë. I thërritëm një të lagjes këtu dhe erdhi ai dhe lajmëruam policinë”, rrëfen Ndriçim Muzhaqi, punëtor sezonal nga Librazhdi.

Banorët e fshatit Palasë janë të tronditur nga ngjarja e rëndë, e padëgjuar ndonjëherë në këtë zonë të qetë dhe ku të gjithë banorët kanë lidhje mes tyre. Për tragjedinë, ata bëjnë përgjegjës edhe prindërit e vrasësit.

“Në shtëpi kishte babanë dhe mamanë. Të çmëndur janë edhe ata. që të tre janë të çmendur. Kështu kanë qenë. Edhe prindërit, edhe i biri. Ata e lënë që të bridhte kështu”, thotë një banore e fshatit.

Në banesën e Jorgo Zanit askush nuk përgjigjet edhe pse brenda ka njerëz. Nga jashtë dëgjohet vetëm e qara me dënesë e babait të moshuar të autorit të ngjarjes.

Top Channel