Kosovë, nuk ka asociacion pa zhbërjen e strukturave paralele

18/08/2016 00:00

Autoritetet në Kosovë thonë se hapat drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’i ndërmarrin kur Beogradi zyrtar të ketë zhbërë strukturat paralele në veriun e Kosovës.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se është e pakuptimtë të themelohet Asociacioni, derisa ka qeverisje lokale paralele në disa pjesë të Kosovës, të cilat mbështeten nga qeveria në Beograd.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Valon Murtezaj thotë se nuk ka filluar ende hartimi i statutit të Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, fillimi i themelimit të asociacionit varet nga dinamika e shpërbërjes së strukturave paralele serbe të ngritura nga Beogradi.

“Qeveria e Kosovës është e vendosur të zbatojë marrëveshjet për të cilat është rënë dakord në Bruksel. Një prej tyre është edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kosova mund të them se e ka kryer punën e saj, por problemet kanë qenë në anën e Qeverisë së Serbisë.”

“Çfarëdo hapi i mëtejshëm drejt themelimit të asociacionit apo hartimit të statutit dhe çështjeve që lidhen më këtë, varen nga dinamika dhe qasja e shpërbërjes së strukturave paraleleve të cilat ekzistojnë”, thekson Murtezaj.

Top Channel