Rishikim nenit për mediat, Xhafaj: Nuk ishte qëllim kufizimi i shprehjes

18/08/2016 00:00

Kur u prezantua në fillim të korrikut, projktligji për Prokurorinë Antikorrupsion nuk e kishte nenin problematik që mund të cënonte lirinë e shprehjes.

Ky është një nen i përfshirë tek drafti i hartuar nga ekspertët amerikanë të OPDAT-it të hënën. Fatmir Xhafaj e pranoi se formulimi është problematik dhe lë vend për dyshime, por qëllimi nuk është kufizimi i lirisë së medias, por eliminimi i presionit ndaj drejtësisë.

“Dhe ajo që ka ndodhur sot e në vite të tëra është se për shkak të këtij presioni nga politika, nga zyrtarët e lartë, njerëzit me pushtet e nga elementë të tjerë janë mbyllur procese të tëra që kanë pasur të bëjnë veçanërisht me zyrtarët e lartë në çështjet e korrupsionit. Natyrish, mënyra sesi është thënë aty çështja e medias ka nevojë të rregullohet”, deklaron Xhafaj për Top Channel.

Kur flet për rregullim, Fatmir Xhafaj ka parasysh gjetjen e një ekuilibri mes qëllimit të ligjit dhe lirisë së shprehjes.

“Qëllimi i asaj dispozite është jashtëzakonisht i mirë dhe në optikën time ai nen duhet forcuar akoma më shumë për të eliminuar çdo lloj ndikimi të paligjshëm mbi punën e prokurorëve dhe të gjyqtarëve që do të jenë pjesë e strukturave antikorrupsion. Çështja shtrohet se cili do të jetë këtu raporti i medias, për ta mbrojtur median. Por jo thjesht për ta mbrojtur, por për ta bërë partnere në luftën kundër korrupsionit, kjo ka nevojë që të rregullohet dhe të riformulohet më mirë dhe kaq. Këtu fillon dhe mbaron gjithçka”, nënvizon Xhafaj.

Kryetari i komisionit për reformën në drejtësi u tregua i gatshëm të diskutojë çështjen me përfaqësuesit e medias.

“Dhe unë besoj se do të ulemi bashkarisht, ndoshta edhe me ta për të gjetur një zgjidhje sesi është më e mira që edhe media të jetë në rolin dhe funksionin e saj. Por nga ana tjetër të mos përdoret si instrument intimidimi apo presioni”, shton Xhafaj.

Kundër nenit 13, sipas formulimit aktual në ligj, u deklarua edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili tha se do të këkrojë heqjen në komision të këtij paragrafi “të paparanueshëm”.

Top Channel