Andy Murray dhe Rafael Nadal kanë udhëtuar nga Brazili në SHBA për të zhvilluar Turneun Masters të Sinsinatit. Në ndeshjet e raundit të dytë, Murray, kampioni olimpik, arriti të mposhtë argjentinasin Juan Monaco, duke regjistruar fitoren e tij të 19 radhazi. Britaniku e dominoi totalisht këtë ndeshje, të cilën e mbylli 2-0 (6-3 dhe 6-2).
Ndërsa Nadal u kualifikua për në raundin e tretë pasi mposhti uruguajanin Pablo Cuevas. Spanjolli, i cili u shpall kampion olimpik në lojën dyshe së bashku me Marc Lopez, fitoi lehtë setin e parë 6-1, ndërkohë që vuajti më shumë në të dytin, të cilin e bëri të tijin vetëm pas “tiebreak”: 7-6.
Siguroi një vend për në raundin e tretë edhe Kei Nishikori, fituesi i medaljes së bronztë në Rio. Japonezi kaloi në raundin e dytë tenistin rus Michail Youzhni në dy sete: 6-3 dhe 6-2.
U kualifikua për më tej edhe zvicerani Stanislav Wawrinka, i cili me vështirësi eliminoi 19-vjeçarin Jared Donaldson me rezultatin 2-1 (2-6, 6-3 dhe 6-4).
Top Channel