Usain Bolt, në finalen e 200 metrave

18/08/2016 00:00

Në garën e 200 m për meshkuj Usain Bolt bëri detyrën duke u kualifikuar për në finale. Xhamajkani, i cili kërkon të barazojë rekordin e Carl Lewis me 9 medalje të arta olimpike, e fitoi baterinë e tij me kohën 19.78 sekonda, duke lënë pas kanadezin De Grasse.

Surpriza në gjysmëfinalet e 200 metrave ishte eliminimi i rivalit të Bolt, amerikanit Justin Gatlin, i cili në baterinë e tij u rendit në vendin e tretë. Një vend për në finalen e kësaj gare siguroi edhe Lashon Merrit, i cili arriti të fitojë në baterinë e tij gjysmëfinale me 19.94 sekonda.

Ndërkohë, Ilejn Tompson i jep një tjetër titull olimpik Xhamajkës në atletikë, duke fituar në finalen e 200 metrave me 21.78 sekonda, që është edhe koha më e mirë e sezonit në këtë disiplinë. Thompson arriti të mposhtë në këtë garë holandezen Dafne Shipers, e cila u kënaq me medaljen e argjendtë edhe pse ishte kjo e fundit favoritja kryesore për të fituar.

Ndërsa në vendin e tretë, duke fituar edhe medaljen e bronztë, u rendit amerikania Tori Boui. Ilejn Tompson me këtë fitore bëhet e para femër që fiton medaljet e arta si në 100 ashtu edhe 200 metra në Lojërat Olimpike që nga koha e Florens Grifith, në 1988.

Top Channel