Turqi, sulme ndaj stacioneve të policisë, 6 të vdekur

18/08/2016 00:00

Dy sulme me autobombë janë kryer sot në Turqi kundër dy stacioneve të policisë në lindje të vendit, duke shkaktuar në tërësi vdekjen e të paktën 6 personave dhe plagosjen e rreth 220 të tjerëve.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave viktimat janë 2 civilë dhe 4 policë. Ndërkohë, përgjegjësia i atribuohet kurdëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Njëri nga sulmet u krye ndaj selisë qendrore të policisë në Elazig, saktësojnë autoritetet, ku mbetën të vrarë 3 policë dhe të plagosur 73 vetë, përfshirë civilë.

Ndërsa më herët, një shpërthim i ngjashëm u krye ndaj një komisariati policie në provincën Van, ku mbetën të vdekur 1 oficer dhe 2 civilë, si dhe u plagosën 146 persona.

Forca e shpërthimit dëmtoi makinat e parkuara përreth, çrrënjosi pemët dhe shkaktoi një krater të madh jashtë ndërtesës.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, ka kryer një seri sulmesh me bombë ndaj policisë turke, kryesisht në jug-lindjen me shumicë kurde, që kur armëpushimi me qeverinë e Ankarasë u ndërpre vitin e kaluar.

Top Channel