Objektivi Europa League, Sormani: Besojmë te fitorja

18/08/2016 00:00

Partizani zbarkoi në Rusi, aty ku do të luajë këtë të enjte sfidën e parë të Play Off-it të Europa League përballë Krasnodarit.

Misioni që i pret të kuqtë është i vështirë, skuadra ka zhvilluar dhe stërvitjen e fundit në tokën ruse dhe trajneri italian Adolfo Sormani i duhet të marrë një rezultat që të mbajë në lojë Partizanin për ndeshjen e kthimit përballë tifozëve të kuq.

Italiani i ka të gjithë në dispozicion me përjashtim të Kalarit që është i skualifikuar. Në konferencën e shtypit trajneri siç bën të ditur vetë klubi në faqen e tij zyrtare ka vlerësuar kundërshtarin duke kërkuar një grup kompakt në fushë ndërsa është shprehur.

“Përballë kemi një skuadër e cila sigurisht është shumë më lart se ne në shumë aspekte mjafton të shohësh renditjen në klasifikimin e përgjithshëm të UEFA-s pozicionohet në vendin e 86-të dhe disponon mjaft lojtarë të shtrenjtë. E sigurt është se ne do të japim gjithçka për të dhuruar një ndeshje pozitive. Shanset për kualifikim!!! Partizani do të tregoj se është një skuadër dhe luan si skuadër, duhet të jemi kompaktë dhe të gjithë lojtarët të japin maksimumin”, sprehet ai.

Trajneri nuk i zë besë mungesave të kundërshtarit pasi për të organika i mundëson Krasnodarit ti përballojë ato me sukses, ndërsa nuk ka ngurruar të shfaqë optimizmin për një surprizë në Rusi duke deklaruar.

“Besojmë në fitore. Nuk mendoj se ndonjë skuadër hyn në fushë për të humbur , jemi të vetëdijshëm që përballë kemi një kundërshtar mjaft të fortë por ne do të luajmë shanset tona. Nuk mendoj se jemi të favorizuar për faktin se do të luajmë takimin e parë jashtë, çështja kualifikim do të vendoset në dy sfidat ndaj mendoj se nuk na favorizon aspak ndeshja e parë në Rusi”.

Kanë qenë këto deklaratat e Sormanit ndërkohë që bashkë me të në Konferencë ka qenë edhe Labinot Ibrahimi. Mbrojtësi që bashkë me Ramadanin ju desh të kalonin një sërë peripecish për pajisjen me viza, është shprehur i bindur se skuadra do të japë gjithçka në fushë për të arritur një rezultat pozitiv.

Top Channel