Rriten të ardhurat në buxhet, kontribuojnë doganat dhe tatimet

17/08/2016 00:00

Të ardhurat totale në buxhet për 7 mujorin e 2016 janë 16 mld lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, nga 216.2 mld lekë një vit më parë, në këtë 7 mujor janë mbledhur 232.2 mld.

“Tatimet dhe Doganat” mblodhën 19.3 mld lekë, ose 10.6 % më shumë se një vit më parë. Ndërsa krahasuar me planin, kjo shifër është 1.3 mld lekë më shumë. (Tabela 2 Tatimet dhe Doganat). Rritje ka patur sa i përket të ardhurave nga taksat doganore dhe akciza që siç thotë Ministria e Financave reflekton rritjen e sasisë së cigares së importuar dhe mallrave të tjera të akcizës.

Ndërsa zërat që kanë pësuar rënie janë të ardhurat nga renta minerare me 36.7 %, çka reflekton rënien drastike të çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, me një efekt zinxhir edhe në perfomancën jo të mirë të TVSH së nga importi, me rënie 1.9 %.

Në kahun tjetër, atë të shpenzimeve qeveria vazhdon të kursejë duke patur një realizim prej rreth 89 për qind krahasuar me planin ose rreth 25.4 mld lekë më pak. Vlerën më të madhe të mos shpenzimit e kanë ato për investime publike dhe për pushtetin vendor. Ndërsa vazhdon të kemi një suficit buxhetor prej rreth 18 mld lekë.

Top Channel