Herolind Shala firmos në Turqi

17/08/2016 00:00

Kohë ndryshimesh të rëndësishme për mesfushorin Herolind Shala, në fillim në rang përfaqësueseje e tashmë edhe në nivel klubesh. Futbollisti i lindur në Norvegji që u aktivizua te kombëtarja e Shqipërisë e tashmë kalon te përfaqësuesja e Kosovës, është prezantuar këtë mesjavë te skuadra turke e Kasimpasa, një ekip nga periferia e Stambollit në zonën e Bejollu.

Hapësirat e pakta të Herolind Shalës në kampionatin cek të futbollit, kanë detyruar kosovarin të provojë një ligë tjetër në karrierën e tij. Një talent që të gjithë presin të shpërthejë por që deri më tani se ka bërë asnjëherë në fushë, lojtari ishte i huazuar te skuadra e Slovan Liberec në kampionatin çek dhe në fund të sezonit u kthye te klubi që zotëron kartonin e tij, Sparta e Pragës.

Por, në kryeqytet, Shala nuk ishte në planet e stafit teknik e kështu provon një zgjidhje provizore te Kasimpasa në ligën turke, një transfertë të cilën e zyrtarizoi personalisht.

Ekipi në pronësi të biznesmenit Turgay Xhiner mbylli kampionatin e kaluar në vendin e shtatë dhe synon pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Stadiumi ku luan ndeshjet në shtëpi formacioni Kasimpasa, mban emrin e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Top Channel