Njerëz dhe personazhe në kohë dhe vende të ndryshme, janë fiksuar në aparatin e fotografes Nerina Toci, e cila vjen për herë të parë në vendlindjen e saj. Nerina lindi në Tiranë, por në moshën 6 vjeçare udhëtoi drejt Sicilisë, e që prej atëherë, kjo është përballja e saj me publikun shqiptar.

“Kam çelur shumë ekspozita në Itali, por kjo është e para në Tiranë. Të gjitha janë foto të shkrepura në Itali. Kërkoj vende të virgjëra, më pëlqen të fotografoj pyllin, sepse më kujton kur kam qenë e vogël përrallat”, shprehet Nerina Toci, fotografe.

37 kuadro bardh e zi, e nëse një sy i thjeshtë sheh vetëm këto dy ngjyra në dukje, Nerina sheh përtej kuadros duke gjetur ylberin mes dy ngjyrave drastike. Bardh e zi, sepse për të momenti që transmeton duhet të jetë i fortë, dramatik. E ndonëse e ka të vështirë të shprehet në gjuhën amë, fotografes nuk i duhen fjalët, pasi për të flet fotoja.

“Dua qe fotografia te jete universale. Fotot e mia flasin per vuajtje. Përpara flisja me fjale, tani është imazhi që flet”, thotë fotografja.

Nerina Toci ka çelur një sërë ekspozitash në Itali, ku është vlerësuar me çmime, ndërsa gjatë qëndrimit në kryeqytet po punon për të çuar këtë herë të parat foto shqiptare të saj në Siçili.

Top Channel